300 mësimdhënës shkëmbejnë përvojat në “Kosovo Learning Summit”

Samiti “Kosovo Learning Summit” i organizuar nga American School of Kosova ndërmjet mësimdhënësve brenda dhe jashtë Kosovës, iu ka mundësuar këtyre të fundit të shkëmbejnë përvojat e tyre profesionale

Temë kryesore e këtij samiti ishte involvimi i teknologjisë nëpër shkolla. Ky është samiti i parë i cili  organizohet nga ASK, dhe ka dalë të jetë  mjaft i suksesshëm, ku rreth 300 mësimdhënës patën rastin të participojnë në këtë samit.

Drejtoresha biznesore e ASK-së Shpresa Peroli, tha se ky samit i organizuar për herë të parë nga “American School of Kosova” është i një rëndësie të lartë, pasi sipas saj, këto samite ndihmojnë shumë në zhvillimin profesional të mësimdhënies.

Ajo tha se ka qenë një nder i madh që përmes ASK-së dhe bashkëpunimit me komunën e Prishtinës është realizuar një organizim i tillë.

Peroli ka vlerësuar interesimin e të pranishmëve në këtë samit, duke thënë se shpreson që një praktikë e tillë të marrë mbështetje edhe më të gjerë në organizimet e ardhshme.

 “Sot në ditë vikendi e pamë prezencën e madhe të mësimdhënësve. Kemi një kënaqësi jashtëzakonisht të madhe që i kemi pas rreth 300 mysafirë sot në hapësira të American School of Kosova… Aftësimi profesional besoj që është shumë i rëndësishëm edhe duhet të jetë një pikë elementare në këtë drejtim edhe në fushën e drejtimit besoj fuqishëm që është një pikë e rëndësishëm në zhvillimin e mësimdhënësve tonë. Ne gjatë vitit organizojmë katër zhvillime profesionale për mësimdhënës tonë dhe akoma mendojmë që është pak…. Unë besoj fuqishëm se është vetëm fillimi dhe në vitet e ardhme do të kemi përkrahjen e ministrisë  të cilën për fat të keq sivjet nuk e kemi pasur dhe të gjitha komunave të Kosovës dhe shpresoj që numri viteve të tjera të dyfishohet”, tha Peroli.

Ndërsa, mësimdhënësja e matematikës, Supije Zhitia, në shkollën “Iliria” në Prishtinë, foli për rëndësinë e këtij samiti duke thënë  se ky samit ka shërbyer për ide të reja në procesin e mësimdhënies.

Ajo tha se mësimdhënësit e shkollave publike për shkak të mungesës së pajisjeve të teknologjisë, sipas saj po ndihen jo të privilegjuar, dhe se kjo mungesë po iu paraqet edhe vështirësi të tjera gjatë zhvillimit profesional.

“Mendoj që është e madhe kjo rëndës meqë për herë të parë po mbahet ky samit, apo kjo konferencë…Po vërej shumë anë pozitive, kemi dëgjuar përvoja të mira prej mësimdhënësve të cilët janë shumë të suksesshëm në punën e tyre, kemi marrë ide të mira, ndoshta më e rëndësishmja për mu po flas ka qenë nxitja(cytja) me marr ide të reja, me përdor në klasa tona. Sigurisht që kemi me pas  vështirësi nuk kemi pajisje të caktuara…Kishim pak dallime, ne të shkollave publike po ndihemi jo të privilegjuar për shkak të aspektit të paisjeve por sido që të jetë, kur ke vullnet të mirë besoj që ja del…Sigurisht, që do të jetë e domosdoshme klima në klasë, me krijuar klimë të mirë, klimë pune është fjala dmth, mjedis të përshtatshëm për mësim, me pas nxënësin në qendër dmth nxënësi është i rëndësishëm, shkolla është e nxënësit, nxënësi është prioritet, me bo një përgatitje të mirë një planifikim të mirë nuk është lehtë, të gjithë e marrin punën e mësimdhënësit si të lehtë”, tha Zhitia.

Në anën tjetër, Nora Musa, profesoreshë në ‘American School of Kosova’, tha se me realizimin  e këtij samiti ASK, iu ka bërë një nder të madh mësimdhënësve  dhe arsimimit në Kosovë.

Ajo theksoi se gjatë këtij samiti janë diskutuar tema shumë të rëndësishme dhe pjesëmarrësit në këtë trajnim, patën rastin të njohin personalitete të ndryshme nga vendi por edhe nga bota.

“Shkolla Amerikane e Kosovës, i ka bë një nder shumë të madh mësimdhënësve në Kosovë, arsimimit në Kosovë, duke organizuar një konferencë të llojit të tillë sepse ne e dimë që gjithkund në botë arsimimi i nxënësve është shumë i rëndësishëm. Fatkeqësisht vendi jonë nuk i ofron këto mundësi mësimdhënësve tanë dhe Shkolla Amerikane e Kosovës (American School of Kosova), iu ofrojë mësimdhënësve tanë që ta kenë rastin të njohin personalitete të ndryshme nga vendi por edhe nga bota. Ata erdhën me përvojat e tyre dhe na mësuan dhe na treguan se si ata e mbajnë mësimin nëpër shkolla të ndryshme nëpër vende të ndryshme të botës. Pat tema shumë të rëndësishme ku njëra prej tyre ishte edhe involvimi i teknologjisë nëpër shkolla që është një temë e diskutimit gjithkund nëpër botë, mirëpo, fatkeqësisht këtu tek ne së pari na u nevojitet një zhvillim profesional i mësimdhënësve që ata të kenë mundësi pastaj ta involovojnë teknologjinë në klasat e tyre”, tha Musa.

Organizimet e tilla do jenë të përvitshme, ku edhe mësimdhënësit e komunave të tjera të Kosovës do të kenë mundësinë që të përfshihen në samite të tilla./KosovaPress/