American School of Kosova gëzon me dhurata Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve

Fëmijët janë ata që i gëzohen më së shumti festave të fundvitit. Por jo të gjithë fëmijët kanë mundësi që për këto festa të marrin ato që i gëzojnë më së shumti në këto ditë, dhuratat.

Nisur nga kjo ide, dhe për të ndihmuar sado pak disa nga këta fëmijë, American School Of Kosova së bashku me nxënësit dhe prindërit e tyre kanë mbledhur fonde që të gëzojnë me dhurata disa nga fëmijët e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve. Të ndryshme ishin dhuratat që ASK ndau për fëmijët e kësaj Qendre në Prishtinë, si veshmbathje, lodra, libra, ushqim, etj. Dhe ky është viti i tretë që American School of Kosova bënë “babadimrin” për fëmijët në këtë vend.

Një nga mësueset e ASK-së, Donika Shabani, tha se qëllimi i mbledhjes dhe dhurimit të këtyre dhuratave është që të ju ndihmojnë këtyre fëmijëve në nevojë, me çka edhe vetë nxënësit e ASK mësojnë të jenë human dhe bamirës.

Shabani: Prindërit gjithmonë janë të gatshëm të ndihmojnë

Video

“Fëmijët i mbledhin dhuratat së bashku me prindërit, së bashku me mësuesit, dhe i sjellim në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe të Fëmijëve. Është një iniciativë, një vullnetarizëm që është i mirëseardhur nga të gjithë prindërit, nxënësit, ngase kur ata dhurojnë diçka ndihen mirë nga veprimet e tyre. Po ashtu, mësojnë që duhet të jenë human gjatë jetës së tyre dhe janë shumë të kënaqur kur në fund i sjellin dhuratat dhe e bëjnë dikë të buzëqeshin. Prindërit kanë qenë gjithmonë të gatshëm të sjellin dhurata, qoftë ushqim, rroba, veshmbathje, pra gjithmonë ka qenë organizimi i mirë dhe bashkëpunim i duhur ndërmjet kësaj Qendre me Shkollën Amerikane këtu në Kosovë”, tha Shabani.

Me këtë rast, mirënjohje dhe falënderim për prindërit shprehi edhe mësuesja amerikane e ASK-së, Hollie Morris.

Morris: Falënderoj të gjithë prindërit

“Ne jemi nga Shkolla Amerikane e Kosovës dhe jemi këtu për të ndihmuar Qendrën e Mbrojtjes së Gruas dhe Fëmijëve. Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë prindërit që kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë gratë dhe fëmijët në këtë Qendër, në Prishtinë”, tha Morris.

Ndërsa, drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, Samka Brovina, në emër të të gjitha nënave dhe fëmijëve që kanë qenë më parë në këtë Qendër, falënderoi shumë këtë shkollë, duke thënë se për tre vite me radhë ata i kanë dhënë buzëqeshje fëmijëve për çdo fundvit.

Brovina: Dhuratat do ua japim të gjithë atyre nënave dhe fëmijëve që kanë qenë në këtë qendër

Video

“Shkolla Amerikane që tri vjet na ndihmon me ndihma që organizon për fëmijët dhe gratë që kanë qenë në strehim. I falënderoj shumë që kanë kujdes dhe mendojnë për këta fëmijë. Për momentin nuk kemi aski këtu, edhe këtë grua me fëmijën e saj e kemi thirrur prej shtëpisë, por ne i thërrasim ata fëmijë që kanë qenë këtu në strehim dhe u japim dhuratat. Ky është një gjest human, i falënderojmë fëmijët, mësuesit, prindërit dhe krejt shkollën për ndihmesën që japin për Qendrën, sado që i vogël, për ne është gjest shumë i madh. Sigurisht që fëmijët dhe gratë i gëzohen këtyre dhuratave, dhe sado që është dhurata e vogël në dukje, për fëmijët është e madhe. Pra, është një respekt për fëmijët dhe nënat që kanë qenë këtu. Është një gëzim, i jep buzëqeshje atyre për një moment”, tha Brovina.

Vetë nxënësit e Shkollës Amerikanë në Prishtinë, tregojnë se pse ata kanë ndihmuar në dhënien e këtyre dhuratave.

Fëmijët: Duam të ndihmojmë ata që nuk kanë

Video

“Sepse ata kanë nevojë të jenë të shëndetshëm dhe ata nuk kanë shuam gjëra”, tha Quigley.
“Unë kam mbledhë disa artikuj për njerëzit me nevojë, kështu që ata mund të jenë të lumtur, sepse ata nuk kanë shumë gjëra dhe për këtë dua t’iu dhuroj diçka. Gjithashtu unë e kam shkruar edhe një telegraf”, tha Kaqikolla.

Edhe pse nuk u prononcuan para kamerës, nëna dhe fëmijët që kanë qenë në këtë qendër falënderuan shumë Shkollën Amerikane në Kosovë, duke thënë se kjo është një ndihmë shumë e madhe për ta. /KosovaPress/