American School of Kosova, me pyetjen e javës: Kush e meriton udhëtimin në DisneyLand

Fëmijët e klasave të 6-ta, 7-ta dhe 8-ta të shkollave fillore në shtatë qytete të Kosovës, këtë javë i sfidon pyetja se ‘kush do të shkojë në DisneyLand në Paris’. American School of Kosova nisi nga sot me “Olimpiada e Diturisë”, organizim ky që mat njohurit e nxënësve në një garë që i shpërblen ata me tre çmime kryesore.

Vizita në Paris, në qytetin e vogël të Disney-t, është vetëm një nga dhuratat që marrin më të mirët.

Matja e njohurive për nxënësit e shkollave fillore, është një nga iniciativat më të qëlluara dhe me përfitim për vetë pjesëmarrësit. Një organizim i këtij lloji nga American School of Kosova, që përfshinë të gjitha qytetet e Kosovës, ka nisur nga sot, për të vazhduar me traditën e saj të shpërblimit të nxënësve që kanë njohuri në disa lëndë me rëndësi.

Olimpiada e Diturisë, si një maratonë e këtij lloji me vetiniciativë nga American School of Kosova, sot nisi në Ferizaj dhe Prizren.

Përndryshe, kjo olimpiadë zhvillohet në shtatë qytete të Kosovës, dhe vjen në formë të garës, ku nxënësit e shkollave publike i shpalosin njohuritë e tyre në disa lëndë ekzakte. Metoda e aplikuar e testimeve do të jetë më kreative, si për shembull; në formë të debatit, eksperimenteve, zgjidhjes së detyrave, etj.

Fituesit e garës do të shpërblehen me çmime të ndryshme. Vendi i parë do të përfitoj një udhëtim të paharruar në DisneyLand Paris si dhe 50% bursë në ASK, kurse për vendin e dytë shkolla do të ndajë 40% bursë dhe 800 euro për grupin fitues. Po ashtu, vendi i tretë do të shpërblehet me 30% bursë dhe 400 euro për grup. /KosovaPress/