“ASK Alumni Talks” vjen më 14 Mars

“Asociacioni e të Diplomuarve të ASK-së” – ASK Alumni Association (AAA) i themeluar me qëllimin e ribashkimit të të gjithë diplomuarve të ASK-së qysh nga formimi i saj në 2003, shumë pak pas krijimit, po vjen me aktivitetin e tij të parë. Fundja, kjo pritet nga një grup njerëzish të diplomuar nga shkolla më e suksesshme në vend – efikasitet dhe kualitet.

Aktiviteti i parë i këtij Asociacioni është “ASK Alumni Talks” një konferencë që do të mbledhë disa nga të diplomuarit më të suksesshëm të kësaj shkolle për të ndarë me të pranishmit rrugën e tyre drejt suksesit, të arriturat dhe dështimet eventuale, dhe mësimet e nxjerra nga këto eksperienca.

Folës i edicionit të parë të kësaj konference, që do të bëhet vjetore, s’ka si të mos ishte i diplomuari i pari i kësaj shkolle, e njëherit edhe Kryetar i Bordit i Asociacionit të të Diplomuarve të ASK-së, Astrit Hasani. Astriti gjithashtu, ndër të tjerash, njihet për aktivitetet e tij në komunitetin e sportit, dhe fushës akademike.

Folësi tjetër, Agon Gashi, Kryeshefi Ekzekutiv i Meridian Express, dhe njëkohësisht anëtar e drejtues i disa bordeve të rëndësishme në vend, është shembulli më i mirë i një të riu që dita ditës po tregohet më i suksesshëm.

 

Rron Cena është folësi i tretë i kësaj konference, i cili me kompaninë që krijoi Formon, fitoi çmimin FIDES në Kosovë, dhe u përzgjodh t’u bashkohet “Përshpejtuesve të Bizneseve” nga Amerika dhe Turqia.

Këto fjalime frymëzuese kanë për qëllim që t’u japin një shembull për t’u ndjekur të rinjve e te rejave tjerë. Folësit, përmes historive të tyre, do të frymëzojnë jo vetëm të pranishmit në sallë, por edhe ata jashtë saj, për të gjetur një perspektivë të re, për të besuar se ndryshime pozitive mund të ndodhin në vendin tonë, dhe për të punuar drejt tyre.

Ky aktivitet do të mbahet të hënën, më 14 Mars, nga ora 15:00, në Amfiteatrin e American School of Kosova, dhe është i hapur për publikun.