ASK Film Fest nis bashkëpunimin me festivalin e filmit PriFest Film

(E plotësuar) ASK Film Fest, një organizim i suksesshëm për tash e shtatë vjet me radhë i American School of Kosova, këtë vit vjen në bashkëpunim të ngushtë me festivalin e njohur të filmit në Prishtinë, PriFest Film.

Nga tani, falë bashkëpunimit të ASK Film Fest dhe PriFest Film të cilët kanë hapur mundësinë e pranimit të filmave të shkurtër dhe dokumentarëve, nxënësit e shkollave të mesme nga e gjithë bota do tu ipet mundësia që me filmat e tyre të aplikojnë në festival.

Të kënaqur me bashkëpunimin, përfaqësuesit e dy institucioneve thanë se në këtë formë do t’u ofrohet mundësia nxënësve që të mësojnë më shumë për filmin si dhe të jenë pjesë e një festivali ku do të ketë edhe filma ndërkombëtarë si nga Irani, Kanadaja, Rusia, etj.

Drejtoresha e Festivalit PRIFEST Film, Vjosa Berisha, tha se ky bashkëpunim është i rëndësishëm për të rinjtë nga shkolla Amerikane në Kosovë pasi që ata mund të kuptojnë rëndësinë e filmit. Ndërsa ajo është shprehur e gatshme për çfarë do lloj bashkëpunimi siç është ky i sotmi pasi që kjo është në dobi të festivalit dhe nxënësve.

Për ne ky bashkëpunim me ASK është shumë i rëndësishëm sepse ne e shohim që edhe për këta të rinj nga shkolla e mesme kemi mundësi t’u japim një lloj edukimi së bashku dhe t’u tregojmë sa është i rëndësishëm filmi dhe sa është e rëndësishme të kyçen ata në lëmine e kinematografisë. Investime të tilla, bashkëpunime të tilla siç po e bëjmë sot me ASK FilmFestival janë shumë të rëndësishme për festivalin tonë, është shumë i rëndësishëm për ASK-në dhe shumë i rëndësishëm jo vetëm për studentë të ASK-së, por edhe për studentë e kaluar nga gjeneratat e ASK-së, sepse do kenë mundësi të vijnë, të shfaqin talentet e tyre, të njoftohen me mysafirë të festivalit tonë, të shfaqin filmat e tyre dhe të jenë vullnetarë që të kenë mundësi bashkëpunimi më tutje, nëse ata vendosin ta zhvillojnë karrierën e tyre në këtë lëmi”, tha Berisha.

Profesori i Lëndës “Film and Drama” në ASK, njëkohësisht edhe përzgjedhës i filmave që do marrin pjesë në këtë festival, Dukagjin Podrimaj tha se deri tani pjesëmarrës në këtë festival priten të jenë rreth 100 filma, prej të cilëve ka edhe shumë filma ndërkombëtarë.

“Ky bashkëpunim ka me qenë një tradite tek nxënësit me shkua nëpër festivale, me i shikuar ata filma dhe të paktën me u frymëzua dhe me u edukua që kjo është një gjë që ja vlen. Përndryshe për festivalin e ASK-së unë jam selektorë i filmave të shkollës së mesme. Deri tani kemi diku rreth 100 filma. Ka ndërkombëtarë, ka disa filma nga Irani, Kanadaja, filma prej Rusisë, kështu që parimisht është një diversitet shumë i madh që sjell filma edhe prej temave shumë të ndryshme. Është vështirë me i përzgjedh por besoj që në program kanë me qenë diku 8-10 filma, që nuk janë më të gjatë se 15 minuta”, tha Podrimaj.

Nga American School of Kosova, drejtoresha Shpresa Peroli tha se përveç mësim-nxënies që bëhet në ASK, tash po zhvillohen edhe aktivitete të shumta jashtë kurrikulave mësimore. Peroli ka mirëpritur gatishmërinë e drejtoreshës së PRIFEST Film Vjosa Berisha dhe profesorit Dukagjin Podrimaj që t’i japin mundësinë studentëve të ASK të jenë pjesë e këtij festivali

Përveç pjesës akademike, zhvillohen edhe aktivitete të shumta jashtë kurrikulës. Këto aktivitete zakonisht karakterizohen si argëtuese dhe njëkohësit edukuese. Ato janë programi verorë që organizon shkolla jonë, olimpiada e diturisë, aktivitete të shumta humanitare si dhe ASK FilmFestival. Lënda më interesante në shkollën është e filmit “Dramos” me profesorin Dukagjin Podrimaj, ku nxënësit argëtohen dhe mësojnë informata sa i përket kinematografisë, teatrit vendorë dhe atij ndërkombëtarë. Gjatë aktiviteteve kemi parë interesimin e madh dhe talentin e nxënësve tanë dhe kemi krijuar një festival të filmit, që tani në vitin e 3të me radhë organizohet së bashku me PRIFEST dhe kemi nderin dhe kënaqësinë që zonja Vjosa dhe zotëri Fatosi janë shprehur të gatshëm që nxënësve tanë ti japin mundësinë që të jenë pjesë e një festivali shumë të njohur dhe veçantë të tregut kosovarë”, tha Peroli.

Përndryshe, të gjitha shkollat e mesme nga e gjithë bota kanë të drejtë të aplikojnë dhe të paraqiten me filmat e tyre para jurisë dhe studentëve të ASK-së. Deri tash kanë konkurruar diku 100 filma nga të cilët do të selektohen për pjesëmarrje në netët e ASK Film fest në PriFest, përafërsisht 10të prej tyre. Shikimi i këtyre filmave do të jetë pa pagesë. /KosovaPress/