American School of Kosova shpërblen nxënësit me bursa, udhëtime e para të gatshme

Dituria e fituar për shtatë, tetë apo nëntë vite të shkollës fillore, bëri që fëmijët e këtyre klasave nga shtatë shkollat kualifikuese nga të gjitha qytetet e Kosovës të marrin pjesë sot në garën e Olimpiadës së Diturisë dhe të fitojnë shpërblime me bursa, udhëtime dhe para të gatshme. Olimpiada u organizua nga American School of Kosovo (ASK).

Në garën gjashtë orëshe u organizua debat nga lëmi të ndryshme. Në lëminë e shkencës pati një konstruktim të një makine, shpejtësia e së cilës u testua ndërkohë që gara vazhdonte. Ndërsa, në lëminë e matematikës nxënësit konstruktuan një shtëpi me përmasa që ata vetë zgjodhën, bazuar në njohuritë e fituara gjatë procesit të mësimnxënies.

Krejt në fund, çmimin e parë me shpërblimin një udhëtim në “Disneyland”, Paris dhe 50 për qind zbritje bursë e fitoi Viola Bugaqku, Penda Spanca dhe Penda Smajlaj, grupi i nxënësve garusese nga shkolla fillore “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Çmimi i dytë shkoi për grupin e nxënësve të shkollës fillore nga Gjakova “Zekeria Rexha” me shpërblim 40 për qind zbritje bursë dhe 800 euro të gatshme, derisa vendin e tretë e zuri shkolla fillore nga Ferizaj “Gjon Serreçi”, që u shpërblye me 30 për qind zbritje bursë, si dhe 400 euro para të gatshme.

Nxënësja fituese e udhëtimit në “Disneyland, Viola Bugaqku, për KosovaPress, me emocione ka treguar për çmimin. Edhe pse nuk e dinte se sa e madhe mund të jetë konkurrenca në këtë garë, Bugaqku është shprehur se në fund mundi iu shpërblye. Për këtë ajo i është falënderuar Shkollës Amerikane në Kosovë.

“Fillimisht, faleminderit shumë për shancin që na ka dhënë American School of Kosova, për të shkuar tash edhe në “Disneyland. Na ka marrë pak kohë, por besoj që edhe ia ka vlejtur për vendin që e kemi marrë. Kemi bashkëpunuar të gjithë së bashku… Në fillim nuk dinim për konkurrencën se sa është e fortë, por besoj që edhe mundi ynë u shpërblye”, ka rrëfyer Bugaqku për KosovaPress.

E emocionuar pas çmimit të fituar ishte edhe arsimtarja e lëndës së kimisë, e cila kishte punuar në përgatitjen e nxënësve për të marrë pjesë në këtë garë. Arsimtarja Fetije Berisha tha se organizimi i garës nga AS, është një motiv për nxënësit që ata të arrijnë deri te një akumulim më i madh i diturisë.

Kënaqësia e shprehur nga nxënësit për pjesëmarrjen e tyre në Olimpiadën e Diturisë, nuk kaloi pa u vërejtur edhe nga drejtoresha e American Shcool Of Kosova, Shannon Bruce Ramaka.

Ramaka për KosovaPress tha se kjo garë dhe ky organizim do t’i motivojë nxënësit. Ajo gjithashtu tha se mësimet e arrira sot kanë qenë të mrekullueshme dhe, sipas saj, mësimdhënësit kanë përfaqësuar kurrikulën amerikane të cilën e praktikon ASK-ja.

Nxënësve pjesëmarrës në këto grupe nga Peja, Prizreni, Mitrovica, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe nxënësve të shkollave fituese iu dha edhe nga një certifikatë falënderuese për pjesëmarrjen e tyre në këtë garë.

Olimpiada e Diturisë, organizohet për të pestin vit me radhë nga Shkolla Amerikane në Kosovë. Një organizim i tillë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. /KosovaPress/

http://www.kosovapress.com/sq/lajme/ask-shperblen-nxenesit-me-bursa-udhetime-e-para-te-gatshme-70205/